image Trump thotë se çështja e armëve bërthamore është një mashtrim, bën thirrje të publikohet urdhri i FBI-së

Botë

Trump thotë se çështja e armëve bërthamore është një mashtrim, bën thirrje të publikohet urdhri i FBI-së

news image

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi të premten se “çështja e armëve bërthamore është një mashtrim”, duke iu përgjigjur një raporti të publikuar nga Washington Post ku thuhej se agjentët e FBI-së kërkuan për dokumente bërthamore gjatë një kontrolli të bërë në shtëpinë e tij në Florida në fillim të kësaj jave.

Ish-presidenti e krahasoi lajmin e bërë publik nga Washington Post me polemikat që përfshijnë Rusinë, dy mocionet për shkarkimin e tij dhe hetimin për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës në SHBA.

“Janë të përfshirë të njëjtët njerëz të këqij,” tha Trump, i cili nuk ofroi asnjë provë për të vërtetuar pretendimin e tij se provat mund të ishin vendosur ose fabrikuar. Nuk ishte e qartë nëse dokumentet në lidhje me armët bërthamore u gjetën në fillim të kësaj jave në resortin Mar-a-Lago të Trumpit. Raporti i Washington Post nuk mund të konfirmohej ose të vërtetohej menjëherë, raporton REL.

Gjatë 11 gushtit, Departamenti i Drejtësisë tha se ka bërë kërkesë për publikimin e dokumenteve, që zakonisht mbesin konfidenciale kur një hetim është në zhvillim e sipër. Por, departamenti tha se publiku duhet të dijë pse FBI-ja bastisi shtëpinë e ish-presidentit të hënën, më 8 gusht.

“Interesi i publikut është i madh për të kuptuar atë që ndodhi”, thuhej në mocionin e paraqitur në gjykatën federale në Florida.

/GazetaSinjali/