Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA po punon për largimin e uraniumit të pasuruar në nivel të lartë nga Irani, në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme mes dy vendeve.
Në një intervistë për “Financial Times”, Trump tha se procesi mund të realizohet në të ardhmen e afërt dhe se veprimet do të koordinohen me Teheranin.
“Ne do të hyjmë në një moment në të ardhmen e afërt për të larguar uraniumin e pasuruar në nivel të lartë të Iranit,” u shpreh ai, duke shtuar se palët janë afër një marrëveshjeje.
Sipas tij, Irani ka shprehur pajtueshmëri për këtë hap, duke e cilësuar çështjen si pjesë të diskutimeve aktuale mes palëve. Trump theksoi se për SHBA-në kjo çështje ka rëndësi të madhe në kuadër të sigurisë ndërkombëtare.
Ai gjithashtu komentoi situatën në Lindjen e Mesme, përfshirë tensionet mes Izraelit dhe Libanit, duke thënë se po bëhen përpjekje për ta menaxhuar situatën paralelisht me negociatat me Iranin.
Në deklarimet e tij, Trump vlerësoi edhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke e cilësuar atë si “partner të shkëlqyer” në çështjet e sigurisë rajonale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!