Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka prezantuar avionin e ri presidencial që do të shërbejë përkohësisht si “Air Force One”, një Boeing 747 luksoz i dhuruar nga shteti i Katari.
Ceremonia e prezantimit u mbajt në bazën ajrore Joint Base Andrews, ku avioni u ekspozua përpara mediave dhe zyrtarëve amerikanë.
Sipas deklaratave të presidentit Trump, aeroplani konsiderohet një nga më luksozët në botë dhe përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në flotën presidenciale amerikane. Ai shprehu gjithashtu mirënjohje ndaj Katarit për dhuratën, e cila ka tërhequr vëmendje të gjerë në opinionin publik.
Avioni i tipit Boeing 747-8 vlerësohet rreth 400 milionë dollarë dhe më parë ka qenë pjesë e flotës private të familjes mbretërore të Katarit.
Sipas autoriteteve amerikane, mjeti fluturues është modernizuar për përdorim presidencial, duke përfshirë sisteme të avancuara komunikimi, siguri të lartë dhe teknologji mbrojtëse, të përshtatura për nevojat e Shtëpisë së Bardhë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!