image Trump optimist për Iranin: Takime shumë të mira në Katar, diplomacia po jep rezultate

Botë

Trump optimist për Iranin: Takime shumë të mira në Katar, diplomacia po jep rezultate

news image

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se përpjekjet për denuklearizimin e Iranit po ecin në drejtimin e duhur, ndërsa bisedimet mes palëve po vazhdojnë në Doha të Katarit.

Duke folur para gazetarëve para nisjes drejt Dakotës së Veriut, Trump tha se të dërguarit e tij, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë zhvilluar “takime shumë të mira” në kryeqytetin e Katarit.

Ai hodhi poshtë shqetësimet për një rikthim të mundshëm të konfliktit ushtarak, duke theksuar se Irani “ka bërë një rrugë të gjatë” dhe se diplomacia po jep rezultate.

Komentet e tij vijnë pas raportimeve të Wall Street Journal, sipas të cilave Trump kishte diskutuar së fundmi me këshilltarët e tij të lartë ushtarakë, përfshirë sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, mundësinë e rikthimit në një luftë të plotë, por kishte vendosur t’i jepte përparësi rrugës diplomatike.

“Ne i goditëm ata shumë rëndë javën e kaluar, por tani po shkojmë shumë mirë”, u shpreh Trump, duke iu referuar zhvillimeve të fundit.

Ndërkohë, një raport i Bloomberg bën të ditur se është shënuar përparim në bisedimet teknike që po zhvillohen në Katar, ndërsa Uashingtoni dhe Teherani synojnë arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Megjithatë, autoritetet iraniane kanë mohuar zyrtarisht se janë planifikuar takime të drejtpërdrejta me përfaqësuesit amerikanë, duke këmbëngulur se të gjitha kontaktet po zhvillohen përmes ndërmjetësve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/