Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Irani ka kërkuar një takim të ri, i cili pritet të zhvillohet nesër në Doha, në kuadër të përpjekjeve për rifillimin e negociatave mes dy vendeve.
Në një postim në rrjetin e tij social “Truth Social”, Trump shkroi se “Irani ka kërkuar një takim” dhe se ai do të mbahet në kryeqytetin e Katarit, duke sinjalizuar mundësinë e një raundi të ri bisedimesh diplomatike.
Megjithatë, deri tani nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga autoritetet në Teheran për zhvillimin e këtij takimi. Madje, disa orë para deklaratës së Trumpit, një zyrtar iranian kishte pohuar se nuk ishin planifikuar bisedime teknike.
Pavarësisht këtyre deklarimeve të ndryshme, një burim i afërt me procesin e negociatave ka bërë të ditur për mediat ndërkombëtare se ekipet teknike nga të dyja palët janë të planifikuara të takohen në Doha, me qëllim avancimin e diskutimeve për një marrëveshje të mundshme.
Sipas të njëjtit burim, kanalet e komunikimit mes SHBA-së dhe Iranit mbeten të hapura, ndërsa bisedimet po vazhdojnë në përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve pas incidenteve të fundit mes palëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!