Një rast i grabitjes është iniciuar në Prishtinë, ku tri shtetase të Kolumbisë kanë raportuar se janë grabitur nën kërcënimin e thikës, mëson Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti dyshohet se ka ndodhur më 17 qershor, rreth orës 22:05, në rrugën “Agim Ramadani”.
Viktimat kanë deklaruar se disa persona i kishin përcjellë deri te banesa dhe më pas dyshohet se kishin hyrë me forcë brenda.
Sipas deklarimeve të tyre, të dyshuarit i kishin futur tri viktimat në një dhomë dhe nën kërcënimin e thikës u kishin kërkuar para dhe telefona.
Burimet bëjnë të ditur se viktimave dyshohet se u janë grabitur rreth 300 euro dhe katër telefona të llojit iPhone.
Pas sigurimit të video-incizimeve nga hyrja e objektit banesor, dyshohet se janë parë gjashtë persona duke dalë nga objekti, ndërsa pas tyre shihet edhe njëra nga viktimat duke i ndjekur.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda, me udhëzim të të cilit rasti është iniciuar si “Grabitje”.
Hetimet për identifikimin e personave të dyshuar janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!