Një ngjarje tragjike ka tronditur Parisin, ku një djalë trevjeçar ka humbur jetën pasi mbeti i bllokuar brenda veturës së familjes gjatë një dite me temperatura ekstreme që thyen rekorde historike në Francë.
Sipas autoriteteve franceze, fëmija kishte hyrë në automjet ndërsa babai i tij mendonte se ai po flinte. Për shkak të sistemit të sigurisë së dyerve për fëmijë, i mituri nuk ka mundur të dalë nga vetura dhe ka mbetur i bllokuar për një kohë të gjatë nën temperaturat përvëluese.
Prokurori publik Guirec Le Bras bëri të ditur se nëna e fëmijës po pushonte në shtëpi së bashku me fëmijën tjetër të familjes, vetëm 18 muajsh, ndërsa babai ndodhej duke punuar në oborr. Kur prindërit e gjetën djalin, ai ishte pa ndjenja.
“Ai me sa duket u mbyll vetë brenda automjetit dhe mbeti i bllokuar derisa u gjet nga prindërit”, deklaroi prokurori, duke shtuar se nëna është dërguar në spital në gjendje të rënduar emocionale dhe shoku.
Ngjarja vjen në mes të një vale të fortë të nxehti që po godet Evropën. Në Paris, temperaturat arritën në 40.9 gradë Celsius, duke shënuar një rekord historik për muajin qershor dhe herën e parë në më shumë se një shekull e gjysmë që termometri kalon pragun e 40 gradëve në kryeqytetin francez.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e tragjedisë, ndërsa ekspertët vazhdojnë të paralajmërojnë për rrezikun ekstrem që paraqesin automjetet e mbyllura gjatë temperaturave të larta, veçanërisht për fëmijët e vegjël.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!