Trepça ka shënuar fitore bindëse ndaj Pejës me rezultat të thellë 123:79, duke kaluar në epërsi 2:1 në serinë gjysmëfinale të elitës së basketbollit kosovar.
Në palestrën “Minatori”, e stërmbushur me tifozë, skuadra mitrovicase ka dominuar ndeshjen nga fillimi deri në fund dhe tashmë është vetëm një fitore larg finales.
Ndeshja është zhvilluar me ritëm të lartë që në çerekët e parë, të cilët janë mbyllur 26:21 dhe 28:17 për vendasit, të cilët kanë shkuar në pushim me epërsi 54:38. Dominimi i Trepçës ka vazhduar edhe në pjesën e dytë, ku perioda e tretë është mbyllur 30:20, ndërsa dhjetë minutat e fundit kanë sjellë spektakël me rezultat 39:21.
Më të dalluarit te Trepça kanë qenë Ja’cori Payne me 16 pikë, 8 asistime e 5 kërcime, si dhe Drilon Hajrizi me 26 pikë, 3 kërcime dhe 2 asistime. Kontribut të madh ka dhënë edhe Mustapha Amzil me 14 pikë dhe 8 kërcime.
Te Peja, më efikasi ka qenë Daquan Bracey me 23 pikë, ndërsa Cesare Edwards ka shtuar 18 pikë e 5 kërcime.
Seria tani rikthehet në Pejë, ku të dielën nga ora 19:30 zhvillohet ndeshja e katërt. Nëse Trepça fiton, siguron finalen. Në rast fitoreje të Pejës, ndeshja vendimtare do të luhej të enjten.
Fituesi i kësaj serie do të përballet në finale me fituesin e çiftit Bashkimi – Bora, ku aktualisht Bashkimi ka epërsi 2:1.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!