Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në sulmin me raketa gjatë natës në qytetin jugor të Ukrainës, Odesa, të kryer nga forcat ruse.
Bombardimet, siç njofton administrata shtetërore rajonale, kanë shkaktuar dëme të shumta në banesa, një magazinë, si dhe në dyqane e kafene në qendër të qytetit.
Sulmi i nisur nga Deti i Zi përfshinte katër raketa lundrimi Kalibr të lëshuara nga deti, tre prej të cilave u kapën nga mbrojtja ajrore, tha administrata rajonale në Facebook.
Tre punonjës të një magazine ushqimore u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën, dhe ekipet e shpëtimit po kërkonin të mbijetuar të mundshëm nën rrënoja. Gjashtë persona të tjerë – roje dhe banorë të një shtëpie fqinje – u plagosën.
Andriy Kovalov, një zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, tha se forcat ruse kanë shtuar sulmet raketore dhe ajrore në Ukrainë.
Kjo fushatë bombadimesh vjen në kohën kur Kievi po është në fazat e hershme të një kundërofensive.
Gjatë një konference, Kovalov tha se rajone të shumta duke përfshirë Harkivin, Donjeckun, Kirovohradin dhe Odesën ishin në shënjestër të sulmeve.
Armët e përdorura në këto sulme përbëheshin nga raketa lundrimi Kh-22, raketa lundrimi Kalibr të lëshuara nga deti dhe drone Shaheed me origjinë iraniane.
Nëntë nga këto raketa u kapën me sukses nga Ukraina.
Një ditë më parë, Rusia nisi një sulm masiv me raketa gjatë natës në qytetin qendror të Ukrainës, Krivi Rih, duke vrarë të paktën dhjetë persona dhe plagosur 28 të tjerë dhe duke dëmtuar infrastrukturën civile.