image Tre raste të dhunës në familje brenda pak orësh: E mitura denoncon babanë e gjyshin, çifti përfundon në Polici, gruas i kanoset vrasja

Siguri

Tre raste të dhunës në familje brenda pak orësh: E mitura denoncon babanë e gjyshin, çifti përfundon në Polici, gruas i kanoset vrasja

news image

Tri familje në qytete të ndryshme të Kosovës janë përballur me incidente të dhunës brenda vetëm pak orësh, duke rikthyer në vëmendje shqetësimin për sigurinë brenda mureve të shtëpisë.

Gazeta Sinjali mëson se rasti i parë është raportuar në Rahovec, ku një vajzë e mitur, me inicialet A.D. (16 vjeçe), ka denoncuar në Polici se është keqtrajtuar nga babai i saj, G.D. (51 vjeç), dhe gjyshi, I.D. (76 vjeç). Edhe pse raporti mjekësor nuk ka konstatuar shenja të dukshme dhune fizike, Prokurori ka urdhëruar inicimin e rastit për “Dhunë në familje”.

Rasti i dytë është shënuar në Prishtinë, ku një mosmarrëveshje bashkëshortore ka degraduar në përplasje fizike. Fillimisht, E.K. (30 vjeçe) ka raportuar se bashkëshorti i saj, I.K. (37 vjeç), i kishte shkulur flokët dhe e kishte goditur me shuplakë në qafë. Megjithatë, gjatë trajtimit të rastit është konstatuar se edhe ajo dyshohet se e kishte goditur bashkëshortin me grusht në fytyrë. Me urdhër të Prokurorit, të dy janë proceduar për veprën penale “Dhunë në familje” dhe janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në Pejë, një grua ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi bashkëshorti i saj, A.T (49 vjeç), në gjendje të dehur, dyshohet se kishte ushtruar dhunë psikike ndaj familjes. Sipas deklarimeve të viktimës, ai kishte gjuajtur sende në banesë, i kishte ofenduar familjarët dhe i kishte kanosur se “do t’i vriste”. Djali i tyre i mitur ka dëshmuar se babai, pasi ishte dehur, e kishte shtyrë me dorë dhe kishte krijuar frikë në familje. Edhe në këtë rast, Prokurori ka urdhëruar inicimin e procedurës për “Dhunë në familje”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Tre raste të ndryshme, tri familje të përfshira dhe një mesazh i qartë, dhuna në familje vazhdon të mbetet një prej plagëve më të rënda shoqërore në vend.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/