image Tre muaj burgim me kusht për asamblistin që s'e deklaroi pasurinë me kohë

Drejtësi

Tre muaj burgim me kusht për asamblistin që s’e deklaroi pasurinë me kohë

news image

Asamblisti në Komunën e Vitisë, Remzi Salihu nga radhët e Vetëvendosjes është dënuar me 3 muaj burgim me kusht dhe 150 euro gjobë pasi e ka pranuar se nuk e ka raportuar pasurinë në kohë.

Dënimi me kusht i shqiptuar në Gjykatën Themelore të Gjilanit, dega Viti dhe nuk do të ekzekutohet në afat prej një viti, nëse i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale.

Gjykatësja Drane Simani tha se i akuzuari obligohet që në emër të shpenzimeve procedurale të paguajë shumën prej 20 euro.

Ky aktgjykim është shpallur pasi që në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 19 tetor 2022, i akuzuari e kishte pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, më 6 shtator 2021, ngarkon Remzi Salihun, se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, Këshilltar i Asamblesë Komunale në Viti duke qenë i detyruar me ligj të bëjë deklarimin e pasurisë për vitin 2019 dhe atë brenda periudhës kohore prej datës 1 mars 2020 e deri më datën 19 qershor 2020 edhe pse i pandehuri ka qene i informuar për këtë obligim nuk e ka bërë një gjë të tillë brenda afatit ligjor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me këtë, ai ngarkohet se ka kryer veprën penale ‘’Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’’, nga neni 430, par. 1 të KPRK-së, i cili parasheh dënimin me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

/GazetaSinjali/