Trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ka njoftuar dorëheqjen nga posti i përzgjedhësit, pas eliminimit të kombëtares nga Kupa e Botës.
Përmes një deklarate, Nagelsmann tha se ky ka qenë një nga vendimet më të vështira të karrierës së tij, por vlerësoi se pas një zhgënjimi të tillë, kombëtarja ka nevojë për një fillim të ri.
“Gjatë ditëve të fundit, që prej eliminimit tonë, kam kaluar shumë kohë duke reflektuar dhe duke biseduar me njerëzit më të afërt, si në jetën time personale ashtu edhe brenda federatës. Ky vendim nuk ka qenë aspak i lehtë. Prioriteti im kryesor ka qenë gjithmonë suksesi i ekipit. Pas një zhgënjimi kaq të madh, skuadra meriton mundësinë për një fillim të ri, pa barrën e së kaluarës.
Dua të falënderoj stafin tim teknik, stafin mbështetës dhe të gjithë në federatë që na kanë mbështetur, veçanërisht lojtarët, me të cilët pata mundësinë të punoja në një marrëdhënie të ndërtuar mbi besimin.
Një falënderim i veçantë shkon edhe për tifozët. Ju na mbështetët, besuat tek ne dhe na dhatë forcë, edhe në momentet më të vështira. Më vjen thellësisht keq dhe më dhemb që ju zhgënjyem dhe nuk arritëm t’ju dhuronim më shumë net futbolli në këtë Kupë Bote. Ju meritonit shumë më tepër”, ka shkruar ai.
Së bashku me Nagelsmannin, nga Federata Gjermane e Futbollit largohen edhe dy ndihmësit e tij, Benjamin Glück dhe Benjamin Hubner.
Ndërkohë, sipas gazetarit Fabrizio Romano, Jurgen Klopp ka pranuar të marrë drejtimin e Kombëtares së Gjermanisë.
Romano bën të ditur se detajet e kontratës janë duke u finalizuar përpara arritjes së marrëveshjes së plotë, por Klopp tashmë e ka pranuar detyrën dhe dëshiron ta ndërmarrë këtë sfidë.
Siç ishte raportuar edhe dy ditë më parë, Klopp hapi rrugën për rikthimin në stol dhe tani pritet të përmbyllë detajet e fundit të kontratës, përpara se të firmosë zyrtarisht si pasues i Julian Nagelsmann.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!