Mbrëmë, në Pejë ka ndodhur një aksident trafiku ku ka humbur jetën një 41 vjeçar. Bëhet fjalë për fshatin Jabllanicë të Vogël, shkruan Sinjali.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Driton Rugova.
“Mbrëmë rreth orës 20:25 policia është informuar për një aksident trafiku i cili ka ndodhur në fshatin Jabllanicë të Vogël, në këtë aksident kanë qenë të involvuar një veturë dhe një këmbësor. Këmbësori ka pësuar lëndime të rënda trupore si pasojë e aksidentit dhe i njëjti është dërguar me autoambulancë në spital por ekipi mjekësor ka konstatuar se i njëjti ka ndërruar jetë”, tha Rugova.
Ndërsa shoferi ka marrë lëndime trupore pasi ka dalë nga rruga dhe është ndeshur me një pemë.
“Edhe shoferi (i dyshuari), ka pësuar lëndime trupore, pasi ka dalë nga rruga dhe është ndeshur me një pemë”, tha ai.
Rugova tha se me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.