Një ngjarje tragjike ka ndodhur të enjten në një shtëpi në Shtërpcë, ku një grua u gjet e vdekur dhe sipas informacioneve të para dyshohet se i dha fund jetës. Viktima po dyshohet se bëri vetëvrasje pas një feste familjare, për motive dhe në rrethana akoma të paqarta, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali bëhet fjalë për një grua 34-vjeçare, e cila bazuar në dëshminë e familjes ka qenë në pritje të ëmbël, në muajin e katërt të shtatzënisë.
Vdekjen e saj e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes dhe trupi është tërhequr për t’u dërguar në IML për obduksion.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se e ndjera dyshohet se i dha fund jetës me armë zjarri, brenda shtëpisë së tyre.
Njësitë policore kanë kryer ekzaminimet e nevojshme, teksa akoma nuk dihet motivi që çoi viktimën drejt këtij akti të rëndë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetimi për zbardhjen e këtij rasti mjaft të rëndë.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.