image Tragjike në Kuçovë: 58-vjeçari i zhdukur prej dy ditësh gjendet pa shenja jete në një shpellë

Rajon

Tragjike në Kuçovë: 58-vjeçari i zhdukur prej dy ditësh gjendet pa shenja jete në një shpellë

news image

Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Drizë të Kuçovës, ku një 58-vjeçar është gjetur i pajetë brenda një shpelle, pas dy ditësh kërkimesh nga familjarët dhe autoritetet.

Familja e tij kishte njoftuar policinë për zhdukjen e të afërmit, pasi ai ishte larguar nga banesa dhe nuk ishte kthyer më. Sipas informacioneve paraprake, 58-vjeçari kishte pasur probleme të shëndetit mendor gjatë muajve të fundit, çka kishte shtuar shqetësimin e familjarëve.

Kërkimet u përqendruan në zonën përreth fshatit Drizë, pasi disa banorë kishin deklaruar se e kishin parë të hynte në drejtim të një shpelle. Pas kontrolleve intensive, forcat e kërkim-shpëtimit e gjetën trupin e tij pa shenja jete brenda shpellës.

Viktima është identifikuar si Gramoz Grymshi, banor i fshatit Drizë. Nga verifikimet e para të policisë nuk janë konstatuar shenja dhune në trupin e tij, ndërsa dyshimet paraprake janë se vdekja mund të ketë ardhur si pasojë e mungesës së ajrit në brendësi të shpellës.

Trupi i 58-vjeçarit është transportuar në morgun e Spitalit Rajonal të Beratit, ku pritet t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/