Vërshimet si pasojë e shiut të madh ishin tragjike për familjen Ademaj nga qyteti i Pejës. Gjithë vendi u trondit për vdekjen e një nëne dhe fëmijës të saj 5-vjeçar. Fillimisht u konfirmua se vogëlushi ishte dërguar në spital pa shenja jete, ndërsa nëna e tij rezultonte e zhdukur. Por tragjedia u thellua, kur Policia njoftoi se edhe gruaja u gjet e vdekur, raporton Gazeta Sinjali.
Mirsada, 26-vjeçare dhe djali i saj, Dioni, janë dy viktimat që humbën jetën tragjikisht dhe nuk arritën të mbijetojnë.
Fëmija u dërgua në spital pa shenja jete, ku prej atje Policia u njoftua për vdekjen e tij, teksa vazhdonin kërkimet për nënën e tij që u zhduk. Fatkeqësisht, pas disa orësh, njësitet e angazhuara për kërkimin e saj njoftuan se viktima u gjet pa shenja jete, rreth orës 01:20.
Nga familja Ademaj kanë njoftuar se nesër do t’iu jepet lamtumira e fundit dy familjarëve të tyre, në varrezat e qytetit, në orën 15:00.
Përveç tyre, në lagjen “Fidanishte”, po ashtu në Pejë, dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në spital.
Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës për kërkim-shpëtim, janë nisur drejt Pejës, për t’iu ndihmuar atyre që janë goditur nga vërshimet.
Kosova është përballur me vërshime në disa qytete edhe në janar të këtij viti.