Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Shtime, ku një grua ka humbur jetën pasi ra nga ballkoni i një ndërtese. Hetimet e deritanishme tregojnë se bëhet fjalë për një aksident, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është Xh.S, 46 vjeçare.
Sipas burimeve, rreth orës 18:50 është raportuar se një grua kishte rënë nga kati i tretë i një ndërtese në rrugën “12 Qershori” në Shtime.
Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku e ka gjetur viktimën të plagosur rëndë, ndërsa qytetarët po përpiqeshin t’i jepnin ndihmën e parë. Ekipi i Emergjencës e ka transportuar në QKMF Shtime, por rreth orës 19:20 është konfirmuar se ajo nuk kishte arritur t’u mbijetonte plagëve.
Hetimet rajonale dhe njësia e Forenzikës kanë kryer ekzaminimet në vendin e ngjarjes. Sipas deklarimeve të familjarëve, viktima kishte qenë mysafire te vajza e kunatit të saj dhe në momentin e ngjarjes ndodhej së bashku me djalin e saj 25-vjeçar.
Nga veprimet e para hetimore dhe dëshmitë e mbledhura, dyshohet se Xh.S ka rënë aksidentalisht nga ballkoni, bashkë me gardhin mbrojtës (gilinderat), i cili është shkëputur, duke i shkaktuar lëndime fatale.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, me qëllim të përcaktimit të saktë të shkakut të vdekjes.
Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen” dhe hetimet janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!