Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar në New York, ku një grua shqiptare humbi jetën pasi ra në një pusetë të pambuluar në mes të rrugës.
Viktima është identifikuar si Donike Gocaj, 56-vjeçare, residente në Briarcliff Manor. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:19 të së hënës, pranë Fifth Avenue në Manhattan.
Sipas dëshmitarëve, gruaja kishte dalë nga makina e saj dhe vetëm pak sekonda më vonë kishte rënë në një pusetë elektrike të hapur, rreth tre metra të thellë, që i përkiste kompanisë Con Edison.
“E mbylli derën e makinës dhe bëri një hap përpara. Papritur u zhduk”, deklaroi dëshmitari Carlton Wood për mediat amerikane.
Ai tregoi se qytetarët që ndodheshin aty u përpoqën menjëherë ta ndihmonin 56-vjeçaren, ndërsa prisnin mbërritjen e ekipeve të emergjencës. Sipas tij, dikush kishte sjellë edhe një shkallë të vogël, por thellësia e pusetës e kishte bërë të pamundur nxjerrjen e saj.
“Ajo po bërtiste se po vdiste”, tha dëshmitari.
Një operacion i vështirë shpëtimi u organizua nga zjarrfikësit e FDNY-së, të cilët përdorën shkallë për të hyrë në pusetë. Kur u nxor, Donike Gocaj ishte pa ndjenja dhe pa shenja jete. Ajo u transportua me urgjencë në spital, ku më pas u shpall e vdekur.
Sipas familjarëve, në vendin e ngjarjes nuk kishte asnjë tabelë paralajmëruese, kone sigurie apo barriera mbrojtëse rreth pusetës së hapur. Rregulloret e qytetit kërkojnë që pusetat të jenë të mbuluara ose të bllokuara qartë për të shmangur rreziqe të tilla.
Avokati Christopher J. Gorayeb deklaroi se raste të tilla nuk janë të rralla në New York dhe se mbulesat duhet të sigurohen në mënyrë që të mos lëvizin aksidentalisht.
Ndërkohë, kompania Con Edison bëri të ditur se nga pamjet e sigurisë dyshohet se kapaku i pusetës ishte zhvendosur pak minuta më herët nga kalimi i një kamioni të rëndë në rrugë. Sipas kompanisë, rreth 12 minuta më vonë viktima kishte parkuar makinën pranë vendit ku ndodhi tragjedia.
Familjarët e Donike Gocajt vizituan vendin e ngjarjes të martën në mëngjes, ndërsa përpiqeshin të kuptonin se si kishte ndodhur aksidenti fatal. Sipas tyre, ajo la pas një djalë, një vajzë dhe dy nipër e mbesa.
Policia e NYPD-së ka deklaruar se nuk dyshohet për vepër penale, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!