image Tragjedi në Mallorkë: Zjarri në një ndërtesë banimi lë dy viktima dhe disa të plagosur

Botë

Tragjedi në Mallorkë: Zjarri në një ndërtesë banimi lë dy viktima dhe disa të plagosur

news image

Dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur si pasojë e një zjarri që shpërtheu në orët e para të mëngjesit në një ndërtesë apartamentesh në Magaluf, një nga qendrat më të njohura turistike në ishullin spanjoll të Mallorkës.

Sipas autoriteteve lokale, zjarri ka nisur rreth orës 05:00 në katin e tretë të objektit. Banorët fillimisht tentuan ta vinin nën kontroll flakën, por ajo u përhap me shpejtësi në pjesët e tjera të ndërtesës, duke përfshirë edhe katet e sipërme.

Ekipet e zjarrfikësve arritën të lokalizonin dhe shuanin zjarrin pas rreth dy orësh operacion. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkakun e incidentit.

Njëra nga viktimat është identifikuar si një grua 58-vjeçare me shtetësi argjentinase, ndërsa identiteti i viktimës së dytë ende nuk është bërë publik. Të dyja u gjetën në apartamente të ndryshme brenda ndërtesës.

Katër persona janë dërguar për trajtim mjekësor në spital, ndërsa dhjetëra banorë të tjerë janë evakuuar dhe janë strehuar përkohësisht në hotele pranë zonës së prekur.

Pas ngjarjes tragjike, autoritetet e komunës së Calvias kanë shpallur dy ditë zie në nderim të viktimave. Magaluf, i njohur për plazhet dhe jetën e natës, mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në Spanjë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/