Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për katër persona të ndaluar nën dyshimin për trafikim dhe posedim të paligjshëm të armëve.
Të arrestuarit, Marsel Varka, Elsaed Maqinaj, Fabian Zako dhe Kristaq Biba, dyshohen për veprat penale të posedimit dhe shitjes së armëve të zjarrit.
Gjatë seancës gjyqësore, të pandehurit kanë zgjedhur të mos deklarohen, duke qëndruar në heshtje para trupit gjykues.
Ata janë arrestuar disa ditë më parë në një operacion të policisë shqiptare, ku janë kapur në flagrancë gjatë një aksioni të zhvilluar në Tiranë.
Gjatë ndërhyrjes së autoriteteve janë sekuestruar katër pistoleta, tre armë automatike të tipit kallashnikov, municione të ndryshme si dhe disa celularë, që dyshohet se lidhen me veprimtarinë kriminale.
Hetimet për rastin po vazhdojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur nëse priten arrestime të tjera të lidhura me këtë rrjet të dyshuar të trafikut të armëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!