Trendi i parave të falsifikuara siç duket po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, përkundër që janë ndërmarrë masa preventive. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend dhe monedha metalike false 2 euroshe po vazhdon të qarkullojë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është denoncuar dje nga një zyrtar i Raiffeisen Bank, i cili ka raportuar për deponimin e disa kartëmonedhave dhe dhjetëra monedhave metalike të dyshuara false.
Sinjali ka mësuar se bazuar në denoncimin e tij, bëhet fjalë për 50 copa 2-she, si dhe kartëmonedha 20, 50 dhe 100 euro – në total mbi 600 euro.
Paratë e deponuara janë konfiskuar në cilësinë e provave materiale dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti ‘Falsifikim i parasë’.
Ndryshe, falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.