Njëri nga tetë zyrtarët policor të lënduar nga aksidenti me autoblindë në veri të vendit, është duke u trajtuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në QKUK.
Për gjendjen e tij, është deklaruar specialisti i Kirurgjisë Torakale, Dr. Frederik Çuperjani.
Ai ka thënë se pacienti i moshës 30 vjeçare ka thyerje të brinjëve në të dyja anët e kraharorit, por gjendja e tij është stabile.
“Gjendja e pacientit është stabile për momentin, pacienti është duke u përcjellë. Lëndimet janë të rënda, pra kemi të bëjmë me shtypjen e kraharorit, me thyerje të brinjave në të dyja anët e kraharorit, mirëpo gjendja e tij është stabile, pacienti është i fuqishëm është i ri dhe besoj se çdo gjë do të shkojë sipas dëshirave tona”, ka thënë Çuperjani për EO.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se polici në fjalë ka pasur vetëdije në momentin kur është dërguar për trajtim mjekësor.
“Këto janë lëndime të rënda edhe gjendja e tij ka qenë e rënduar por pas ekzaminimeve janë parë lëndimet, pra mushkëria është e pacenuar, nuk kemi as ajër e as gjak në hapësirën pleurale edhe vetëm kemi konstatuar thyerjet e brinjëve dhe shtypjen e mushkërive dhe të kraharorit. Po, me vetëdije ka qenë”, ka potencuar Çuperjani.