Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj thirrjeve të dëgjuara gjatë protestës 27-ditore në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku protestuesit kanë përdorur slogane kundër tij dhe qeverisë.
Gjatë protestës, ku janë dëgjuar herë pas here thirrjet “Rama n’burg, Berisha n’burg”, Berisha i ka cilësuar këto reagime si shprehje të mllefit politik dhe pjesë të një narrative që, sipas tij, vjen nga “opozita e opozitës”.
Ai ka theksuar se pjesëmarrësit në protestë, të cilët i quajti kryesisht demokratë, kanë zgjedhur të mos paraqiten me simbole partie, por si qytetarë të zakonshëm.
Duke komentuar sloganet, Berisha i ka cilësuar ato si të shkëputura nga realiteti qytetar dhe pa lidhje me idealet rinore apo demokratike.
“Demokratët të gjithë janë në protestë. Në këtë protestë qindra dhe mijëra demokratë në mënyrë të vazhdueshme. Mendoj se ka qenë vendimi më i drejtë që ata kanë marrë. Nuk kanë shkuar me simbole të partisë, por si demokratë, si qytetarë. Sa i përket sloganeve, ka disa momente. Nuk kanë asnjë lidhje me idealet e vërteta rinore qytetare. Janë slogane, klithma mjerane të ‘opozitës së opozitës’, me të cilat, duke e krahasuar Ramën me Sali Berishën, dy të pakrahasueshme në çdo aspekt, kërkohet të zbutet pozicioni i Ramës. Kërkohet gjithashtu të nxitet qorrsokaku për leverdi të opozitës së opozitës. Nuk ka vend në botë që të barazojë pozitën me opozitën. Janë dufe dhe mllefe të atyre që hynë në politikë të opozitës”, tha Berisha.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!