Një person i mitur është therur sot nga një i mitur tjetër në afërsi të shkollës “Ismail Qemaili” në Prishtinë.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar, zëdhënësi i policisë Agron Borovci. Ai ka treguar se rasti ka ndodhur rreth orës 14:45.
“Rreth orës 14:45 është raportuar për një lëndim trupor të ndodhur në afërsi të shkollës fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes prej nga viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Ndërkohë që ka shoqëruar në stacionin policor një të mitur që dyshohet të ketë shkaktuar lëndimin trupor të viktimës me një mjet të mprehtë. Aktualisht policia ka iniciuar në hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Borovci.
Ndryshe, Gazeta Sinjali, dje raportoi se ka mbetur i vdekur një i ri në Prizren pas një përleshje me thika mes pesë të miturve.
Nga Policia e Prizrenit kanë thënë për Sinjalin se viktima L.B. është 15-vjeçar, ndërkaq edhe i dyshuari është i po të njëjtës moshë.
Tutje ata treguan se i mituri u godit me thikë në pjesën e krahërorit. Policia aktualisht është duke u marrë me të dyshuarin dhe dëshmitarët.
Po ashtu sipas informacioneve të tyre bëhet e ditur se të njëjtit janë nxënës të klasës së 11-të, të shkollës së mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren.
Gazeta Sinjali mëson se viktima është Lirim Buduri./Gazeta Sinjali/