Ka shkuar në 300 numri i viktimave në aksidentin tragjik hekurudhor në Indi ku u përfshinë dy trena pasagjerësh dhe një tren mallrash. Aksioni i kërkim-shpëtimit është mbyllur, teksa autoritetet thonë se të gjithë pasagjerët e bllokuar dhe të plagosur janë nxjerrë.
Kryeministri Narendra Modi, i cili do të përballet me zgjedhjet e vitit të ardhshëm, vizitoi vendin e ngjarjes të shtunën dhe bisedoi me forcat e emergjencës.
Ende nuk ka një version zyrtar mbi shkaqet e këtij aksidenti që është cilësuar më i rëndi i këtij shekulli.
Sipas Ministrit të Hekurudhave dyshohet se dalja e trenit u shkaktua nga një gabim në sistemin e sinjalizimit elektronik që bëri që njëri tren të ndryshonte gabimisht shinat.
“Do të përpiqemi të përfundojmë restaurimin deri të mërkurën në mëngjes, në mënyrë që deri atëherë, trenat të jenë në gjendje të funksionojnë normalisht“, tha Ashëini Vaishnaw, ministër i Hekurudhave.
Për ngjarjen e rëndë kanë reaguar disa liderë botërorë si presidenti i SHBA, Joe Biden, kryeministri kanadez Justin Trudeau, kryeministri britanik Rishi Sunak dhe presidenti francez Emmanuel Macron të cilët kanë shprehur ngushëllimet.
India ka një nga rrjetet më të mëdha të trenave në botë me miliona pasagjerë. Por një pjesë e madhe e infrastrukturës hekurudhore është e vjetërsuar dhe investimet kanë qenë të pakta.