image Thaçi: Zemra ime është e lënduar, por jo e thyer

Thaçi: Zemra ime është e lënduar, por jo e thyer

news image

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në adresimin e tij të parë para qytetarëve pas njoftimit të Zyrë​s së Prokurorit të Specializuar për aktakuzën kundër tij, thekson se zemra e tij është e lënduar, por jo e thyer.

Thaçi thotë se sot ndjehet krejt i çliruar prej brengave dhe peshës së ballafaqimeve politike.

“Mendja ime është e rënduar, por jo e turbulluar.

Gjaku im është i nxehur, por i pastër dhe i njëjtësuar me gjakun e bashkëluftëtarëve që humba në luftë.

Është i njëjtë me gjakun e atyre që më kanë dashur e më kanë mbështetur pa kursim në këtë rrugëtim për liri dhe shtetndërtim.

E në këto çaste edhe me gjakun e atyre që më kanë kundërshtuar, më kanë paragjykuar apo gjykuar ndryshe nga çfarë unë do të dëshiroja.

Ndjehem sot, si asnjëherë më parë, krejt i çliruar prej brengave dhe peshës së ballafaqimeve politike.

Këto brenga nganjëherë kanë marrë përmasa më të mëdha se sa që e kanë merituar.

Kanë mjegulluar në sytë tuaj faktin e thjeshtë se jemi të gjithë bij e bija të kësaj toke dhe të gjithë e duam më të mirën për atdheun tonë, Kosovën.

Por, politika i ka edhe këto.

Është krejt e natyrshme që në këtë moment jo të lehtë për mua, më janë kujtuar ata që kanë dhënë jetën për liri.

Të tjerë që i kam njohur gjatë rrugës time të gjatë, nga koha kur isha një djalë idealist që doja të ndryshoja botën, e deri tek e sotmja me thinja të bardha.

Kam kujtuar momente historike e momente krejt personale.

Kam menduar për prindërit e mi, gjyshërit, familjen dhe djalin tim, Endritin.

Ai që sot është bërë burrë e mund ta shoh në sy pa mu dridhur qerpiku lidhur me gjoja nisjen e një procesi për krime lufte!

E kam kuptuar shumë herët se ne, luftëtarët e UÇK-së, do të paguanim një çmim të madhe njerëzor, familjar e politik.

Ky është çmimi për lirinë e Kosovës”, shprehet Thaçi ndër të tjera, transmeton Gazeta Sinjali. /Gazeta Sinjali/