Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, dje përmes një postimi në Facebook ka thënë se Qeveria Kurti i ka shpenzuar 31 milionë euro për karburante, raporton Sinjali.
Ajo ka potencuar se këtë e vërteton Raporti i Auditimit, me ç’rast ka bashkëngjitur edhe një fotografi se çfarë thuhet në raport.
“Çka ka me thanë ”ministri i financave” lidhur me konfirmimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, në Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2023, faqe 42, ku thuhet se gjatë vitit 2023 vetëm për karburante janë shpenzuar 31 milionë Euro, ndërsa për furnizime mjekësore 51 milionë Euro.
Pra, furnizime mjekësore për krejt qytetarët e Kosovës 51 milionë Euro, a veç naftë për vetura zyrtare 31 milionë Euro, (ta kemi të qartë bëhet fjalë për një një vit, jo për një mandat)”, ka shkruar Bajrami.
Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati, sot ka reaguar në lidhje me këtë deklaratë të Bajramit.
Ai ka thënë se deklarata e saj nuk është e vërtëtë, e sipas tij shpenzimi i karburantit për automjete për vitin 2023, për nivelin qendror dhe lokal është 10.47 milionë euro.
“Shpenzimi i karburantit për automjete për vitin 2023, për nivelin qendror dhe atë lokal, është 10.47 milionë euro. Kjo është e faktuar edhe në raportin vjetor financiar të miratuar e dorëzuar në Kuvend.
Duhet theksuar se shumica e këtij shpenzimi shkon për flotën e automjeteve të policisë dhe të FSK-së. Raportimet se shpenzimi për karburante të veturave për vitin 2023 është 31 milionë euro është i pavërtetë, dhe i pasaktë.
Shifra prej 31 milionë euro që është përmendur nga Raporti Vjetor i Auditimit mund të jetë përmbledhje që përmban edhe shumat që janë shpenzuar për naftë për ngrohje, ose dru zjarri për ngrohje, por nuk ka të bëjë me shifrën faktike që është shpenzuar për karburant për automjete”, ka shkruar ai në Facebook.