Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, i ka reaguar ashpër deputetes së Lëvizjes Vetëvendosjes, Fitore Pacolli e cila mbrëmë në një emision televiziv kishte deklaruar se qeverisjet e kaluara kanë shkatërruar sistemin shëndetësor në vend, duke shtuar se edhe të afërmit e tyre, kryeministrat i kanë dërguar për shërim jashtë vendit. Këtu Pacolli përmendi nënën e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, shkruan Gazeta Sinjali.
“Kur minsitri Vitia ka shkuar në Ministri nuk ka pasur masa rezervë. E kur nuk i ke ato rezerva nuk e di se si mund të funksionosh si shtet. Tash më kujtohet se e patëm kundërshtuar kur kryeministri Haradinaj në atë kohë e kishte dërguar nënën e tij për shërim jashtë shtetit, dhe kjo u pat ngritë si dilemë por nuk është diskutuar shumë”, kishte thënë Pacolli.
Ndaj kësaj deklarate, ka reaguar deputeti Selmanaj, i cili në një postim në faqen zyrtare në Facebook e ka quajtur femër të padenjë, të pashpirt e gjuhëhelm Pacollin.
“Fitore Pacolli, një femër gjuhëvrerë, pra nuk i mbeti gjë tjetër, vetëm edhe ta përgojojë Nënën, e cila qindra mijëra ushtarë ka pritur e ka përcjellë nëpër beteja, si të ishin bijtë e saj. Nënën e cila dhjetra e qindra plagë ua ka lidhur në luftë, duke filluar prej bijve të saj. Si mundet një femër, ta përgojojë një nanë, që ka dhënë më të shtrenjtën për këtë vend, që Fitorja “po na mbroka”?!! Jo vetëm turp, po mallkimi i tyre do të bjerë mbi ty, femër e padenjë për atë emër, e pashpirt, gjuhëhelm!”, ka shkruar ai.
Tutje, Selmanaj ka kërkuar nga Vetëvendosje të distancohet nga këto deklarata, të cilat ai i quan përgojime.
“Subjekti i saj politik, do të duhej që menjëherë të distancohej nga një përgojim i tillë! Ndryshe, ky subjekt, bëhet strehë e fyerjeve të simbolit të Nënës shqiptare ndër vite e shekuj. Këtë kastë dhe këtë mentalitet politik të çoroditur, pa ndjenja njerëzore e kombëtare, duhet ndalur! Tash e përgjithmonë!” ka përfunduar ai./GazetaSinjali/