image Testohet siguria e 'avionit Boeing 737 Max', pas aksidenteve është tërhequr nga fluturimet

Botë

Testohet siguria e ‘avionit Boeing 737 Max’, pas aksidenteve është tërhequr nga fluturimet

news image

Avioni “737 Maks” i kompanisë amerikane “Boeing” synohet të rimarrë çertifikatën e sigurisë nga autoritetet e vendit. Pas aksidenteve fatale të dy viteve të kaluara, mjeti fluturues është tërhequr nga kompanitë ajrore deri në adresimin e problemeve teknike.

Autoritetet amerikane dhe gjiganti i aviacionit vendës “Boeing” pritet të nisin një proces treditor që do testojë sigurinë e avionëve tip “737 MAX” të prodhuar nga kompania.

Ky model avionësh nuk lejohet të fluturojë nëpër botë që nga muaji mars i vitit të kaluar, pas dy aksidenteve fatale që do u merrnin jetën mbi 340 pasagjerëve në harkun e pak muajve.

Të hënën, pilotët dhe ekipet testuese do të kryejnë manovra specifike, ulje-ngritje dhe kthesa më ekstreme gjatë fluturimit mbi shtetin e Uashingtonit dhe brigjet e Oqeanit Paqësor.

Në fokus do të jetë edhe kodi i ri kompjuterik që është riprogramuar pas dyshimeve se në aksidentet e fundit ka shkaktuar bllokim të mjeteve fluturuese, duke i bërë të pakomandueshme.

Ndryshimet shpresohet të testohen gjatë korrikut dhe gushtit nga pilotë ndërkombëtarë, por në kushtet e pandemisë është e paqartë se si mund të mbahen seanca të tilla provash.

Në janar, kompania “Boeing” ndaloi prodhimin e avionëve të vet më të shitur, “737 MAX”, deri në pritjen e ricertifikimit prej autoriteteve pas aksidenteve me pasoja tragjike.

Ndërkohë 400 mjete të reja të këtij modeli qëndrojnë të parkuara për shkak se nuk u janë dorëzuar apo janë anuluar nga porositësit, duke reduktuar edhe hapësirat magazinuese të kompanisë.

Në tremujorin e parë të vitit, frika për sigurinë e avionëve por edhe pakësimi i fluturimeve prej rrezikut të koronavirusit i shkaktuan kompanisë “Boeing” rreth 5 miliardë dollarë humbje.

Vlera e aksioneve të saj në bursa u ul shkurtimisht gati trefish nga fundviti i kaluar.

Sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror, periudha e krizës pandemike ka dëmtuar çdo prodhues avionësh por veçanërisht gjigantin amerikan.

Deri vitin e ardhshëm, trafiku ajror nëpër botë parashikohet të mbetet më shumë se 25 për qind poshtë niveleve të vitit të kaluar. /Gazeta Sinjali