image Testi i arritshmërisë dhe i maturës mund të shtyhen për shkak të koronavirusit

Arsim

Testi i arritshmërisë dhe i maturës mund të shtyhen për shkak të koronavirusit

news image

Rritja e numrit të rasteve me koronavirus mund të shkaktojë shtyerjen e datës së mbajtjes së testit të arritshmërisë dhe atij të maturës, anipse këto teste janë planifikuar të mbahen të hënën.

Shtyrjen e mbajtjes së këtyre testeve po e kërkon edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës, ku kryetari i saj Ymret Reshiti, përmes një përgjigje me shkrim, i tha KP-së se kanë kërkuar një gjë të tillë.

Ai shprehet se prindërit e kanë prioritet shëndetin e fëmijëve dhe se aktualisht ky është shqetësimi i tyre i vetëm dhe jo afatet e mbajtjeve të testimeve.

“Kjo valë e pandemisë na sjell në një gjendje të jashtëzakonshme ku të gjithë duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe efektiv. Ne si Këshill i Prindërve rekomandojmë që të shtyhet mbajtja e testit për klasat e 9 deri në rrethanat e reja që do të krijojnë ambient të sigurt për shëndetin e nxënësve”, u shpreh Reshiti.

Në mëdyshje se a duhet të mbahen këto dy testime kur ka numër kaq të madh të rasteve me COVID-19, janë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, anëtarë të Komisionit për Arsim.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, thotë se e ka të paqartë se si është marrë një vendim që këto testime të mbahen pa ndodhur një analizë e mirëfilltë.

“Nuk ka strategji të mirëfilltë për atë se çka do të ndodh në rast se disa prej nxënësve do të jenë të infektuar me COVID-19 në këtë periudhë. Të ndodhur në një situatë të tillë, unë e gjykoj që një vendim i tillë është i pamatur dhe definitivisht jo i menduar mirë”, thotë ai.

Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha, thotë se mbajtja e këtyre testeve paraqet rrezik për nxënësit.

“Mbajtja e këtyre testeve paraqet një rrezik dhe një shqetësim për të gjithë nxënësit dhe familjet e tyre. Unë mendoj që ky proces duhet të shkojë i koordinuar me Ministrinë e Shëndetësisë, respektivisht me IKSHPK-në, duke i respektuar të gjitha rregullat shëndetësore, në mënyrë që mos të ketë raste të reja të infektimit të nxënësve në shkollat e Kosovës… Edhe te mbajtja e testit të maturës dhe testit të arritshmërisë do të kemi kujdes të veçantë dhe për këtë duhet të flasin profesionistët. Natyrisht që barrën kryesore do ta mbajnë organizatorët, respektivisht qeveria sepse në qoftë se nuk mund të krijojnë kushte të cilat kërkohen me rregullat e pandemisë, atëherë kjo do të mund të ishte një fatalitet për shumë familje dhe për shumë nxënës të cilët mbajnë testet në këtë situatë pandemie”, deklaroi ai.

Por, një organizim i mirë nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ku do të respektohen të gjitha rekomandimet e institucioneve shëndetësore dhe pa rrezikuar nxënësit, për Rinor Qehajën nga Instituti EdGuard, është i mundur.

Ai thotë se Ministria e Arsimit dhe Shkencës është institucion që e ka përgjegjësinë për organizimin e këtyre testimeve, e që sipas tij duhet të garantojë një organizim që vlerësimi është i besueshëm dhe nuk cenohet në asnjë moment mirëqenia e nxënësve gjatë testimit.

“Testimet certifikuese si testi i maturës është vështirë që do të mund të organizoheshin online, pasi që po të tilla do të cenoheshin jashtëzakonisht shumë validitetin e po të njëjtave. Përderisa MASHT-i ka ofruar instruksione për organizim të periudhës përgatitore, atëherë kam përshtypjen një organizim një ditor i testimit nuk do të duhej të shfaqte problem për sigurinë e nxënësve. Por, mbi të gjitha do të garantonte pastaj një rezultat më të besuar krahasuar me atë online. Gjithherë mbi pro supozimin që ministria do të merr masat e mjaftueshme edhe për administrim të mirëfilltë të testimit, e kjo shkon përtej pandemisë, pra që të sigurohemi që nuk do të ketë shpërdorime e keqpërdorime gjatë testimit”, thotë ai.

Se këto testime mund të shtyhet e thotë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, i cili për KP deklaroi se në varësi të situatës me pandeminë COVID-19 do të marrin një vendim.

Likaj deklaron se në takimin që ka pasur me DKA-të është njoftuar se të gjitha përgatitjet janë bërë për testin e arritshmërisë, por që thotë se do të konsultohet prapë për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus.

Ai thekson se shëndeti i nxënësve, mësimdhënësve është prioritet.

“Të gjithë drejtorët kanë thënë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe ata kanë marrë përsipër që janë të gatshëm për të organizuar një testim të tillë. Natyrisht që situata është përkeqësuar edhe më tepër, përsëri ne do të jemi në konsultime. Unë do t’iu drejtohem edhe një herë me shkrim secilës Drejtori komunale të Arsimit se a janë në gjendje të garantojnë që do t’i përmbahen manualit ose udhëzuesit që e ka lansuar Ministria e Shëndetësisë për masat të cilat duhet të ndërmerren për të mbrojtur shëndetin e nxënësve, stafit mësimdhënës dhe familjarëve të tyre. Nëse e marrim pëlqimin prej tyre edhe një herë me shkrim atëherë ne do të procedojmë sipas planit që është paraparë”, thotë ministri Likaj.

Testi i arritshmërisë për klasat e nënta është caktuar për datën 23 qershor, ndërsa ai i maturës me 4 korrik./Gazeta Sinjali/