Një incident i rëndë ka ndodhur në fshatin Panaja të Vlorës, ku një 36-vjeçar dyshohet se ka shkaktuar panik pas një konflikti me punonjës të një firme private.
I dyshuari fillimisht është përfshirë në një debat verbal me drejtuesin e një kompanie që po kryente punime për asfaltimin e rrugës së fshatit. Konflikti më pas ka eskaluar, ku ai dyshohet se ka thyer xhamat dhe pasqyrën e një kamionçine pune.
Më pas, 36-vjeçari dyshohet se i ka vënë flakën automjetit, duke e shkatërruar plotësisht.
Ngjarja ka marrë përmasa edhe më të rënda kur ai ka marrë një armë gjahu dhe ka qëlluar në ajër, duke shkaktuar panik te banorët e zonës.
Policia e Vlorës ka ndërhyrë menjëherë në vendngjarje, duke neutralizuar situatën dhe shoqëruar autorin e dyshuar në komisariat.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivet e plota të incidentit, ndërsa pritet edhe njoftimi zyrtar nga policia.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!