Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, ka pritur dje në takim deputeten Duda Balje, e cila njëherësh është edhe kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut.
Tërnava ka folur me Baljen lidhur me Projektligjin për Fertilizim të Asistuar Mjekësor. Sipas njoftimit të BIK, Tërnava ka shprehur shqetësim rreth këtij projektligji, për të cilin ka thënë se “kontribuon direkt në prishjen e institucionit të familjes”.
Në njoftim përmendet edhe projektligji që lejon martesat e se njëjtës gjini.
“Myftiu nuk la pa përmendur edhe takimin e përbashkët që kanë pasur edhe me prijësit e institucioneve të tjera fetare në vend, me të cilët edhe ka nënshkruar deklaratën e përbashkët për kundërshtimin e projektligjit që lejon martesat e së njëjtës gjini.
Nga ana e saj, znj. Balje, falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen dhe për angazhimin dhe gatishmërinë e tij dhe të institucionit të BIK-ut për një bashkëpunim me Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në njoftim.