Gazeta Sinjali raportoi para pak kohe për vjedhjen në Teqen e Madhe në Gjakovë, ku hajnat kanë arritur të vjedhin qindra mijëra euro. Sipas burimeve, hajnat kanë arritur të vjedhin rreth 200 mijë euro, në valuta të ndryshme dhe një sasi të arit, nga dy kasaforta të Teqes.
E për vjedhjen e rëndë, kanë reaguar nga ky objekt fetar.
Në reagim thuhet se paratë që ishin cak i hajnave, ishin destinuar për investim dhe rindërtimin përfundimtar të objektit të Teqes së Madhe në Marash-Hisar të Prizrenit.
Shuma prej rreth 200 mijë euro, sipas Teqes, kanë qenë kursime disavjeçare të shehut.
“Teqja e Madhe e Gjakoves, percjelle indinjaten e thelle për aktin vandal e makaber te grabitjes ne Teqe. Shuma e parave dhe gjerave te tjera me vlere, e grabitur ne Teqe, ka qene pjese e kursimeve disavjeçare te Shehut te Teqese se Madhe, familjes Shehu dhe te besimtareve, me qellim te investimit ne rindertimin perfundimtar te objektit te Teqese se Madhe ne Marash-Hisar te Przirenit. Shpresojme qe shume shpejt organet e rendit dhe te drejtesise ta kryejne punen e tyre dhe ta zbardhin ne plotni kete rast.”, thuhet në reagim.
Rasti është raportuar nga shehu i teqes, i cili ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë në lidhje me vjedhjen e rëndë që ka ndodhur.
Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme, teksa me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’.