Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre. Ato shpeshherë nuk kanë guxim t’i denoncojnë këto raste në Polici për shkak se përballen me kanosje serioze, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur së fundmi në një familje në rrugën “Isuf Pollomi” në Prishtinë, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj gruas me të cilën bashkëjeton.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se gruaja ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi u përballë me kanosje nga burri, i cili po dyshohet se fillimisht ia ka kërkuar 3 mijë eurot e mbledhura për djalin e saj me autizëm.
Viktima ka deklaruar se si pasojë e refuzimit të saj për t’ia dhënë të hollat, i dyshuari i ka kërkuar që të largohet nga shtëpia.
Si rezultat i raportimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku është përballur me denoncimin kundër tij.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.