Një tentim për kalim ilegal të kufirit Kosovë–Serbi është parandaluar nga Policia në zonën e Bërnjakut, ku është ndaluar një automjet i ngarkuar me pajisje elektronike.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Semir Berovic, rreth 27-vjeçar, i cili është ndaluar nga njësitet policore dhe NJRSH-ja e Mitrovicës së Veriut në fshatin Bërnjak të Zubin Potokut.
Sipas informacioneve të siguruara, i dyshuari po transportonte një ngarkesë me pajisje elektronike dhe dyshohet se kishte tentuar ta kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme drejt Serbisë.
Dokumentet e paraqitura tregonin se vlera e mallit arrinte në rreth 1,144 euro, megjithatë vetë i dyshuari ka deklaruar se vlera reale e ngarkesës ishte më e lartë.
Sinjali mëson se pas ndalimit, Semir Berovic është shoqëruar në Stacionin Policor në Zubin Potok, ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Kalim i paautorizuar i kufirit”, ndërsa automjeti dhe malli janë sekuestruar përkohësisht për procedura të mëtejshme hetimore.
Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin vazhdojnë.
Policia ia prishi planin në Bërnjak. Automjeti u ndalua para kalimit të kufirit, ndërsa ngarkesa me pajisje elektronike përfundoi e sekuestruar.
Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!