image Tentim vrasja në Lupç të Podujevës - Nga një muaj paraburgim për të dyshuarit

Drejtësi

Tentim vrasja në Lupç të Podujevës – Nga një muaj paraburgim për të dyshuarit

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve S.H, F.H, A.H, F.M dhe B.M.

Nga ky rast, tre persona ishin plagosur me armë zjarri: Ferat Hoxha, Arjanit Hoxha dhe Sejdi Hoxha, ndërsa të lënduar kishin mbetur edhe nga pala tjetër, Ferit Menxhiqi dhe Berat Mexhiqi.

Ndaj tyre është caktuar paraburgimi me nga një muaj për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale Vrasje e rëndë në tentativë dhe secili veç e veç kanë kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve S.H, F.H, A.H, F.M dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Ndërsa refuzohet kërkesa e prokurorit për caktimin e paraburgimit për të pandehurin B.M, pasi prokurori ka hequr dorë nga kërkesa për caktimin e paraburgimit”, thuhet në njoftim.

Me datë 01.05.2024 rreth orës 15:30 në rrugën e fshatit Lupq i Poshtëm në Podujevë, të dyshuarit janë takuar në afërsi të pompës së derivateve Exfis, i kishin ndalur veturat në rrugë dhe kishin filluar të përleshen, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme. Të dy palët kishin përdorur armë, thikë dhe mjete të forta, ku nga të shtënat me armë dhe nga përdorimi i thikës janë plagosur të pandehurit F.M dhe B.M.

/GazetaSinjali/