Vetëm pak ditë para nisjes së Kupës së Botës 2026, është rritur tensioni diplomatik mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, pasi Federata e Futbollit e Iranit ka akuzuar SHBA-në për veprime “armiqësore” ndaj ekipit kombëtar.
Sipas deklaratës së federatës iraniane, disa anëtarëve të stafit drejtues dhe administrativ nuk u janë miratuar ende vizat për hyrje në SHBA, ndonëse ndeshja e parë e Iranit në turne është afër.
Irani e ka cilësuar këtë situatë si vendim “josportiv dhe politik”, duke theksuar se do ta adresojë çështjen pranë Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), me kërkesën që të garantohet pjesëmarrja e plotë e delegacionit të tyre.
Ndërkohë, sipas autoriteteve amerikane, lojtarët e përfaqësueses iraniane i kanë marrë tashmë vizat, por disa pjesëtarë të stafit ende janë në pritje të tyre.
Pavarësisht situatës së tensionuar, ekipi i Iranit ka mbërritur në SHBA dhe po përgatitet për ndeshjen hapëse të Grupit G, që do të zhvillohet në Kaliforni ndaj Zelandës së Re, përpara dueleve të tjera në fazën e grupeve.
FIFA pritet të monitorojë nga afër situatën mes dy vendeve për të siguruar mbarëvajtjen e pjesëmarrjes së të gjitha kombëtareve në turne.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!