image Tenisi përgatit rikthimin

Sporte të tjera

Tenisi përgatit rikthimin

news image

Drejtuesit e Federatës ATP po shqyrtojnë mundësinë për të rifilluar aktivitetet. Krerët e kësaj federate kanë fiksuar datën 10 qershor për të vlerësuar situatën, pas periudhës së gjatë të ndërprerjes, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Në këtë mbledhje pritet të komunikohen vendime të rëndësishme që do të influencojnë ndjeshëm edhe pjesën e mbetur të sezonit, përsa i përket turneve që zhvillohen radhazi në fushat me dhe, duke filluar që nga Mastersi i Romës e deri te Slemi i Famshëm Parizien, që mbahet çdo vit në Kompleksin Roland Garros në kryeqytetin francez.

Sipas të përditshmes spanjolle Marca Federata ATP ka vendosur që të mbledhë sportistët në një videokonferencë pikërisht më datën 10 qershor, në orën 16:00, për t’i informuar tenistët në lidhje me vendimin që do të merret dhe masat që duhen respektuar për muajt në vazhdim, deri në mbylljen e këtij sezoni.

Gjatë kësaj jave janë parashikuar shumë takime për të përcaktuar fatin e turit amerikan, që kulmon me turneun e madh të New York-ut, pra US Open që zhvillohet si zakonisht në Flushing Meadows dhe që është parashikuar të mbahet në kalendar nga data 31 gusht deri më 13 shtator.