Me rritjen e temperaturave gjatë verës dhe valët e të nxehtit që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, ekspertët shëndetësorë u bëjnë thirrje prindërve të tregojnë kujdes të shtuar për foshnjat dhe fëmijët e vegjël, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj efekteve të nxehtësisë.
Pediatrit theksojnë se organizmi i fëmijëve e ka më të vështirë të rregullojë temperaturën e trupit, ndaj ata mund të dehidratohen ose të preken nga lodhja prej vapës më shpejt se të rriturit. Shenja si mungesa e lotëve gjatë të qarit, pelenat e thata për një kohë të gjatë, lodhja, skuqja e lëkurës apo nervozizmi mund të tregojnë se fëmija ka nevojë të freskohet dhe të marrë më shumë lëngje.
Ekspertët rekomandojnë që aktivitetet në natyrë të zhvillohen në orët e mëngjesit ose në mbrëmje, duke shmangur ekspozimin në diell gjatë mesditës, kur temperaturat janë më të larta. Gjithashtu, fëmijët duhet të veshin rroba të lehta, me ngjyra të çelëta dhe të konsumojnë ujë dhe ushqime të pasura me lëngje, si shalqiri dhe frutat e tjera të stinës.
Një tjetër këshillë e rëndësishme është të mos mbulohen karrocat e foshnjave me batanije ose pëlhura të trasha, pasi ato pengojnë qarkullimin e ajrit dhe mund të rrisin temperaturën brenda karrocës. Në vend të kësaj, rekomandohet përdorimi i një pëlhure të hollë e të lagur dhe sigurimi i ventilimit të mirë.
Po ashtu, prindërit paralajmërohen të mos lënë kurrë fëmijët vetëm në automjete të parkuara, qoftë edhe për pak minuta. Temperatura brenda makinës mund të rritet shumë shpejt dhe të bëhet kërcënuese për jetën, edhe nëse automjeti është në hije ose dritaret janë paksa të hapura.
Mjekët theksojnë se me disa masa të thjeshta parandaluese, fëmijët mund të vazhdojnë të shijojnë aktivitetet verore në mënyrë të sigurt, ndërsa prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj çdo shenje që mund të tregojë mbinxehje ose dehidrim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!