image Temperaturat e larta, IKSHPK-ja alarmon për rrezik nga helmimet ushqimore

Shëndetësi

Temperaturat e larta, IKSHPK-ja alarmon për rrezik nga helmimet ushqimore

news image

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka alarmuar qytetarët e Kosovës për rritjen e rrezikut të helmimeve ushqimore gjatë periudhës së verës, për shkak të temperaturave të larta.

Sipas një njoftimi të IKSHPK, thotë se kontaminimi i ushqimeve mund të vijë nga duart e papastërta, ushqimet, uji, kafshët shtëpiake, insektet etj.

Njoftimi i plotë:

Siguria ushqimore gjatë verës
Mbrojeni shëndetin tuaj dhe të familjes suaj! 

Siguria ushqimore u referohet të gjitha rreziqeve të cilat mund t’i shkaktojnë dëme ushqimit

Në verë për shkak të temperaturave të larta rritet rreziku i helmimeve ushqimore. Mikroorganizmat shumohen më shpejt dhe ushqimi prishet më lehtë. Prandaj, kujdesi gjatë përgatitjes dhe ruajtjes së ushqimit është shumë i rëndësishëm për të shmangur sëmundjet.

Kontaminimi i ushqimeve mund të vijë nga: duart e papastërta, ushqimet, uji, kafshët shtëpiake, insektet etj.

Si ndodhin helmimet nga ushqimi?
Helmimet shkaktohen nga konsumimi i ushqimeve të kontaminuara me: Bakterie, viruse apo parazitë, Kimikate të dëmshme, Prania në ushqim e mbetjeve si kocka, metale apo fije floku, Mungesë higjiene gjatë përgatitjes apo ruajtjes së ushqimit.

Për të gjitha helmimet ushqimore karakteristikë është paraqitja e shpejtë e simptomave: temperatura, dhimbje barku, të vjella dhe barkqitje.

Si të mbroheni?
Gatuani mirë ushqimin: Posaçërisht mishin, vezët dhe qumështin – të gjitha pjesët duhet të arrijnë temperaturën 70°C.

Konsumoni ushqimin menjëherë pas përgatitjes: Sa më gjatë të qëndrojë, aq më i madh është rreziku i kontaminimit. Ushqimet për fëmijët nuk duhet të ruhen në përgjithësi, duhet të konsumohen sa më parë pas përgatitjes.
• Ruajeni ushqimin në mënyrë të sigurt: Në të nxehtë mbi 60°C, në frigorifer nën 5°C. Mishi i ngrirë dhe mishi i shpendëve duhet të shkrihen tërësisht përpara gatimit.
Ringroheni mirë ushqimin e ruajtur: Para konsumit, sigurohuni që ushqimi të arrijë përsëri 70°C.
• Shmangni kontaktin mes ushqimit të papërpunuar dhe atij të gatuar: Përdorni thika dhe dërrasa të ndara për secilin.
Lani duart shpesh dhe si duhet: Para dhe pas përgatitjes së ushqimit, pas tualetit, pas ndërrimit/pastrimit të foshnjave apo pas kontaktit me kafshë.
• Mbani pastër kuzhinën dhe enët: Pecetat dhe leckat ndërroni rregullisht dhe ziejini nëse kontaminohen.
Mbroni ushqimin nga insektet dhe brejtësit: Mbajeni ushqimin në enë të mbyllura me kapak.

• Përdorni ujë të pastër dhe të sigurt: Nëse dyshoni në cilësinë e ujit, vlojeni para përdorimit.

• Kontrolloni datat e skadimit dhe freskinë: Shmangni produktet me erë apo pamje të pazakontë.
• Kujdes me ushqimin jashtë shtëpisë: Përdorni frigoriferë dore ose enë termoizoluese në piknik apo udhëtime.

Vera e sigurt fillon nga kuzhina!

Respektoni rregullat e higjienës dhe sigurisë ushqimore për të kaluar një verë të shëndetshme e pa probleme

Kujdesi juaj është mbrojtja më e mirë!

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/