Televizioni shtetëror i Hungarisë ka pezulluar përkohësisht transmetimin e edicioneve të lajmeve të martën, duke bërë të ditur se vendimi vjen në kuadër të riorganizimit të medias publike me synim që ajo të bëhet “e pavarur dhe e besueshme”.
Kanali kryesor i televizionit shtetëror M1 shfaqi një njoftim në ekran të zi, me mesazhin: “Media e shërbimit publik nuk mund të gënjejë. Megjithatë, kërkojmë ndjesë që e kemi bërë këtë për shumë vite”.
Në njoftimin e publikuar nga M1 thuhet se media publike po riorganizohet dhe se transmetimi i lajmeve është pezulluar përkohësisht.
“Media publike në këtë moment po riorganizohet, në mënyrë që në të ardhmen të jetë e pavarur dhe e besueshme. Transmetimi i lajmeve është pezulluar përkohësisht. Ju lutemi, vazhdoni të na ndiqni!”, thuhet në njoftimin e publikuar në kanalin M1.
Kjo lëvizje vjen pas zotimit të kryeministrit Peter Magyar për reformimin e medias shtetërore dhe për ndalimin e asaj që ai e ka cilësuar si propagandë të lidhur me ish-kryeministrin Viktor Orban.
Magyar, partia e të cilit mposhti partinë nacionaliste Fidesz të Orbanit pas 16 vitesh në pushtet në zgjedhjet e prillit, ka nisur riorganizimin e disa prej strukturave kryesore të pushtetit të mëparshëm, përfshirë median shtetërore.
Ai ka deklaruar se synon të rikthejë kontrollet dhe balancat institucionale dhe të luftojë korrupsionin.
“Është një ditë historike, pasi transmetimi i propagandës ka përfunduar në median e shërbimit publik”, ka shkruar Magyar në një postim në Facebook të martën, duke shtuar se edhe Radioja shtetërore Kossuth ka ndaluar transmetimin.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!