Arsim Bilalli dhe Arben Shabani që ishin shkarkuar një muaj më parë nga kreyeshefi i Telekomit të Kosovë, Bedri Istrefi, janë kthyer përsëri me poste të larta në këtë ndërmarrje, raporton Gazeta Sinjali.
Përderisa në të kaluarën Arsim Bilalli kishte udhëhequr sektorin e komunikimit publik dhe Arben Shabani me sektorin e shitjes, të dy janë ‘sistemuar’ tashmë në një pozitë tjetër nga bordi i Telekomit të Kosovës.
Gazeta Sinjali merr vesh nga burimet brenda Telekomit të Kosovës se Arben Shabani të premten është emëruar drejtor, ndërsa Arsim Bilalli, zv/drejtor i departamenti për Inovacion Partneritet dhe Ndërlidhje Institucionale.
Në fakt një departament i tillë nuk kishte funksionuar në të kaluarën në Telekomin e Kosovës dhe duket se është themeluar së fundmi.
Gazeta Sinjali ka provuar që nga dita e shtunë të bisedojë me Arsim Bilallin si dhe me zyrtaren për informim në këtë institucion, por asnjëri prej tyre nuk e ka hapur telefonin.
Menduh Abazi që udhëheq divizionin e komunikimit me publikun në Telekomin e Kosovës, fillimisht kishte thënë që pyetjet t’i dërgohen përmes postes elektronike, por që nga e shtuna e deri të martën nuk ka kthyer përgjigje.
Për të dy nuk ishte bërë e qartë arsyeja e shkarkimit, por sipas kryeshefit të Telekomit, Bedri Istrefit, shkarkimet po bëheshin për shkak të përformancës së dobët.
Arsim Bilalli, Arben Shabani dhe të shkarkuarit e tjerë, sipas Istrefit nuk i kishin përmbushur objektivat e Telekomit të Kosovës gjatë mandatit të tyre.
Shkarkimi i tyre ishte bërë në fillim të muajit të kaluar, ndërsa kontratat e reja të punës nga Bilalli dhe Shabani janë nënshkruar në ditën e fundit të javës së kaluar.
Edhe vëllai i Fatmir Limajt, Demir Limaj, fillimisht ishte raportuar se ishte shkarkuar, por në fakt ai ishte kushtëzuar që të zgjedh mes postit në Telekom të Kosovës dhe profesorit të rregullt në Universitetin e Prizrenit.
Limaj kishte zgjedhur postin në Telekom dhe kishte vazhduar punën pa ndonjë problem./Gazeta Sinjali/