“Kapitujt për vitet 70-të, 80-të, 90-të dhe vitet e fillimit të shekullit janë ripunuar tërësisht dhe parimisht janë rishkruar, atyre i është shtuar një segmet i ri nga 2014 deri më sot, përfshirë edhe operacionin ushtarak në Ukrainë”, shprehet Vladimir Medinskij, këshilltar i presidentit rus,gjatë një konference shtypi tek agjencia e lajmeve, “Interfax” mbi prezantimin e librit të ri të historisë.
Në Rusi lufta kundër Ukrainës paraqitet si “operacion ushtarak special”. Në konferencën e shtypit ish-ministri i Kulturës qëndron krahas rektorit për Institutin Shtetëror të Moskës për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Anatolij Torkunov dhe drejtorit shkencor në Institutin e Historisë Botërore të Akademisë së Shkencave të Rusisë, Aleksandr Tshubarjan, një nga autorët e librit.
Përse bëhet fjalë në librin e ri?
Për klasat 10 deri në të 11-nga 1 Shtatori në të gjitha shkollat do të jepet mësim me librat e rinj të aktualizuar të historisë. Gjatë vitit 2024 i njëjti ekip autorësh do të prezantojë libra të rinj për klasat e 5-a deri në të 9-n.
Në librin e ri kapitulli për epokën bashkëkohore zëvendësohet nga zhvillimet në Donbas dhe Marrëveshjen e Minskut dhe përfundon me “operacionin special ushtarak”. Autorët mbështesin tezën se “është ideja fikse e perëndimit që të destabilizojë gjendjen në Rusi” dhe krijojnë një zinxhir ngjarjesh që duhet të justifikojnë invazionin rus në Ukrainë dhe fillojnë që nga shkatërrimi i Jugosllavisë, ku “skenari i shkatërrimit të Rusisë është përpunuar nga NATO në shembullin e Jugosllavisë”, përmes ngjarjeve në Gjeorgji, ku “regjimi proamerikan i Mihail Sakashvilit sulmoi Osetinë Jugore, që prej shekujsh është në miqësi me Rusinë dhe është e lidhur nga historia e përbashkët, vazhdohet me shkatërrimin e monumenteve sovjetikë ne Europën lindore, “ringjalljen e nacionalsocializmit” në vendet baltike dhe në fund krijimin e “neonazizmit ukrainas”.
Këtu bëhet fjalë, sipas autorëve “për dhunë të pamëshirshme kombëtare, gjuhësore, kulturore të një pakice agresive kundër shumicës”. Libri i historisë kërkon të shpërndajë mesazhin se qëllimi i Europës dhe SHBA “nuk është një Ukrainë e fortë, por një Rusi e dobët”, dhe se “junta aktuale ukrainase” erdhi në pushtet përmes kryengritjes së armatosur në vitin 2014. Autorët i referohen dëshirës së Ukrainës të anëtarësohet në NATO, kjo sipas tyre ishte pika e fundit drejt “operacionit special ushtarak” dhe kalojnë në patos patriotik. “Ky do të ishte edhe fundi i civilizimit, dhe nuk duhet të lejohet.”
Në libër autorët përmendin si qëllim të “operacionit special ushtarak” “mbrojtjen e Donbasit dhe sigurimin proaktiv të sigurisë së Rusisë”. Libri nuk përmban një gjuhë shkencore me fakte të qarta dhe realitete historike por i drejtohet me një stil gjuhësor të caktuar emocioneve dhe ndjenjave. Gjithnjë e më shumë në libër në vend të shprehjeve “rusët” dhe “Rusia” gjen “ne”, “Vendi ynë”. Autorët nuk paraqesin fakte, por më shumë bëjnë thirrje. “Ju jeni të rritur gjimnazistë”. “Mos lejoni t’iu ikin shanset!” “Rusia është sot vend i mundësive.”
Ideologji dhe propagandë
Konstantin Pachaljuk, historian ruso-izraelit dhe politolog para luftës në Ukrainë ka qenë vetë bashkautor i librave të historisë në Rusi. “Kam shkruar në një nga librat mësimore për Luftën e Parë Botërore. Por ai u përpunua nga ana redaksionale dhe u shndërrua në agjitacion patriotik. Me debate të mëdha më duhej të mbroja disa pika”, thekson Pachaljuk.
Historianëve nuk u shkakton më habi ideologjizimi i librave mësimorë në Rusi. “Në librat e historisë gjithçka rrotullohet rreth ideologjisë. Ne reagojmë kaq shumë, sepse e shohim që ndiqen artikujt kryesorë në mediat propagandistike, por jo gjithmonë me korrektësi ka raste kur janë tërësisht të gabuar”, thotë historiani Sergej Tshenyshov ish-drejtues i “Novocollege”, një shkolle të lartë në Novosibirsk.
Historianët e shohin si të papërshtatshëm nga ana shkencore që zhvillimet aktuale të bëhen objekt i menjëhershëm i shkencave historike. “Kjo mënyrë veprimi, ku ngjarje të sotme futen në librat e historisë nuk është praktikë e zakonshme. Kjo kritikohet nga historianët. Aktualiteti nuk është detyrë e shkencës historike. Duhet të ketë një distancë historike. Ndoshta shteti kërkon të kombinojë historinë me të tashmen, që e tashmja të duket kaq e stabilizuar si historia”, thotë historiani Konstantin Pachaljuk. Sipas qëndrimit të historianit, qeveria ruse shkrin kufirin me historisë dhe propagandës, me futjen zhvillimeve të sotme në librat shkollorë./dw