Gjyqësori i Iranit thotë se një shtetas gjermano-iranian, i dënuar me vdekje për akuzat për terrorizëm, nuk u ekzekutua por vdiq në burg.
Mediat shtetërore iraniane raportuan më 28 tetor se Jamshid Sharmahd u ekzekutua, duke e nxitur një fjalosje diplomatike mes Berlinit dhe Teheranit, me Gjermaninë që i mbylli të gjitha tri konsullatat e Iranit në vend.
Megjithatë, Asghar Jahangir, zëdhënës i gjyqësorit, i kundërshtoi raportimet në media dhe tha më 5 nëntor se një komunikatë e gjyqësorit për këtë çështje ishte keqkuptuar, pasi ajo nuk theksonte saktësisht se ekzekutimi ndaj tij ishte kryer.
Nuk janë dhënë hollësi rreth vdekjes së Sharmahd.
“Nuk ka pasur afat kohor për zbatimin e dënimit të Sharmahdit, ai vdiq para se të kryhej dënimi me vdekje”, tha Jahangir, raporton REL.
Sharmahd, 69 vjeç, akuzohej nga Irani se udhëhiqte një grup promonarkist, për të cilin Teherani beson se ishte përgjegjës për një sulm vdekjeprurës me bombë në vitin 2008, si dhe për planifikimin e sulmeve të tjera në vend.