Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar mbrëmë pas mesnate në fshatin Haxhaj në Rugovë të Pejës, ku një person është plagosur me armë zjarri. Viktima është dërguar në spital për trajtim mjekësor, ndërsa tashmë Policia po ndërmerr veprimet e nevojshme, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se viktima është një 25-vjeçar nga familja Elezaj dhe i njëjti është qëlluar me armë nga një tjetër 25-vjeçar.
Bazuar në informacionet e para, incidenti ka ndodhur aksidentalisht në shtëpinë e viktimës, rreth orës 02:00 të mëngjesit.
I riu që u plagos është dërguar fillimisht në Emergjencën e Spitalit të Pejës e më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Personi që dyshohet se ka kryer veprën është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, e po ashtu edhe dëshmitarët që kanë qenë në vendin e ngjarjes.
Lidhur me rastin, Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore.