Katër personat e plagosur gjatë përleshjes së armatosur të enjten në Podujevë po vazhdojnë trajtimin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa gjendja e tyre është konfirmuar për Sinjalin nga zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla.
Sipas Qyqallës, pacientët janë të shpërndarë në klinika të ndryshme për trajtim të mëtejmë, në varësi të lëndimeve që kanë pësuar.
Kalimtari i rastit, A. Islami, i plagosur gjatë incidentit, është trajtuar në Klinikën e Kirurgjisë Maksilofaciale, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Gjatë operacionit është larguar predha dhe janë trajtuar të gjitha dëmtimet e evidentuara. Ai aktualisht ndodhet në gjendje stabile dhe nën monitorim pas operacionit.
Ndërkohë, tre personat e tjerë të përfshirë në përleshje po trajtohen në klinika të ndryshme të QKUK-së. Njëri prej tyre, 36-vjeçari nga familja Zejnullahu, është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare.
32-vjeçari, i cili ka pësuar plagë në kokë dhe i është nënshtruar operacionit një ditë më parë, po trajtohet në Mjekimin Intensiv Qendror.
Edhe Agim Xhemajli është duke marrë trajtim në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, ku po vazhdon kujdesi mjekësor.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të përleshjes së armatosur në Podujevë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!