image Të paktën katër të vrarë nga sulmi rus në Sumy, goditen edhe rajone të tjera të Ukrainës

Botë

Të paktën katër të vrarë nga sulmi rus në Sumy, goditen edhe rajone të tjera të Ukrainës

news image

Një sulm masiv me bomba ajrore ruse në qendër të qytetit verior ukrainas, Sumy, vrau të paktën katër persona, përfshirë një fëmijë, të premten, ndërsa 27 të tjerë mbetën të plagosur, njoftoi guvernatori rajonal Oleh Hryhorov.

Edhe zona të tjera në rajonin e Sumyt dhe në juglindje të Ukrainës, më afër vijës së frontit, u goditën nga sulmet ruse, duke e çuar në gjashtë numrin total të viktimave.

“Në epiqendrën e sulmit ndodheshin një ndërtesë shumëkatëshe banimi, një dyqan dhe një rrugë. Kishte shumë njerëz, përfshirë edhe fëmijë”, shkroi Hryhorov në Telegram.

Ai bëri të ditur se mes viktimave ishin një vajzë pesëvjeçare dhe nëna e saj. Të plagosurit po marrin trajtim në spitale, ndërsa një 13-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky publikoi fotografi nga vendi i ngjarjes, ku shihen ekipet mjekësore duke u ofruar ndihmë të plagosurve, njolla gjaku në trotuar pranë një palë sandalesh të braktisura, si dhe një ndërtesë e shkatërruar plotësisht.

Ai u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës të shtojnë presionin ndaj Rusisë, “në mënyrë që ky terror të ndalet”.

Rajoni i Sumyt, që ndodhet në kufi me Rusinë, është përballur vazhdimisht me sulme nga forcat ruse. Moska muajt e fundit ka tentuar të zgjerojë atë që e quan “zonë tampon” në këtë rajon.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/