image Të paktën 13 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur pas shpërthimit të gazit në Katar

Botë

Të paktën 13 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur pas shpërthimit të gazit në Katar

news image

Të paktën 13 persona kanë humbur jetën dhe 66 të tjerë janë lënduar pas një shpërthimi në objektin më të madh të gazit në Katar.

Qendra kryesore e përpunimit të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në qytet pësoi një “aksident teknik” në zonën industriale Ras Laffan të dielën në mbrëmje, njoftoi Ministria e Brendshme, ndërsa qielli mbi qytet u ngjyros në portokalli si pasojë e shpërthimit.

Ministri i Energjisë i Katarit, Saad Sherida al-Kaabi, deklaroi se shpërthimi nuk do të ndikojë në eksportet e vendit, duke shtuar se “ky ishte një aksident dhe jo një akt sabotimi apo sulm armiqësor”.

Porti Ras Laffan është porti artificial më i madh në botë dhe strehon objektin më të madh të eksportit të LNG-së në botë. Ai ishte shënjestër e sulmeve iraniane më herët gjatë këtij viti, raporton BBC, transmeton Sinjali.

Shpërthimi i së dielës tronditi dritaret dhe u ndje deri në qendër të Dohas, duke shkaktuar panik te banorët më shumë se 70 kilometra larg Ras Laffanit.

Al-Kaabi tha se qeveria po punon për të përcaktuar shkakun e shpërthimit që ndodhi në objektin lokal të furnizimit me gaz Barzan, duke theksuar se nuk ekziston asnjë rrezik mjedisor.

Megjithatë, ministri i Energjisë tha se është e vështirë të përcaktohet se kur do të rifillojnë operacionet.

“Prodhimi në fabrikë ishte ndalur plotësisht qëllimisht që nga dhjetori i vitit 2025 për shkak të nevojave urgjente për mirëmbajtje dhe ishte rindezur vetëm dy ditë më parë”, deklaroi ai.

Një hetim ka nisur për të zbuluar shkakun e aksidentit, ndërsa Al-Kaabi konfirmoi se të gjithë personat që humbën jetën ishin shtetas të Indisë dhe Pakistanit.

Ambasada e Indisë në Doha njoftoi se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Katarit dhe do t’u ofrojë mbështetje familjeve të viktimave dhe të lënduarve.

“Shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet e atyre që fatkeqësisht humbën jetën në incidentin tragjik në Qytetin Industrial Ras Laffan mbrëmjen e kaluar”, thuhet në një postim të ambasadës në rrjetin social X.

Të dielën, kompania shtetërore e energjisë, QatarEnergy, konfirmoi se shpërthimi ndodhi në objektin lokal të furnizimit me gaz Barzan gjatë orëve të mbrëmjes së 21 qershorit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/