Flamur Hasani kishte marr një goditje të rëndë nga institucionet e drejtësisë së Kosovës në vitin 2006, kur ishte akuzuar pa të drejtë për vrasjen e të dashurës së tij.
I përballur me një proces të rëndë gjyqësor, ai ishte dënuar me 25 vjet burgim për një vrasje që nuk e kishte kryer, përkatësisht ngufatjen e të dashurës së tij në ujë.
Teksa kishte qëndruar plotë shtatë vite e tre muaj në burg, Hasani kishte rezultuar se nuk ishte fajtor në vrasjen e së dashurës. Kësisoj, jeta e Hasanit kishte marrë teposhtëzën, si pasojë e veprimeve të papërgjegjshme dhe skandaloze të autoriteteve shtetërore të Kosovës.
Në fakt ky nuk është rasti i vetëm në Kosovë kur institucionet në Kosovë padrejtësisht kanë burgosur persona të pafajshëm.
Autoritetet kanë arrestuar, linçuar qytetarë e personalitete publike, madje duke i ftuar mediet gjatë arrestimit, anipse në fund sipas verdikteve gjyqësore ata kanë rezultuar të pafajshëm.
Damka publike, proceset e stërzgjatura gjyqësore e aq më shumë vuajtja e dënimeve për vepra penale që nuk i kanë kryer, shkelin rëndë të drejtat e njeriut.
Këta persona, pasi shpallen të pafajshëm nuk janë kompensuar fare ose janë dëmshpërblyer me shuma qesharake materiale.
Politikanët që kërkojnë dëmshpërblim nga shteti
Fatmir Limaj, tri vite më parë, kishte kërkuar 7 milionë euro dëmshpërblim nga shteti i Kosovës për rastin e njohur si “Kleçka” ku ai ishte akuzuar dhe më pas ishte shpallur i pafajshëm.
Kërkesa e tij që të kompensohej me këtë shumë nuk është plotësuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK). Por, ky institucion ia kishte ofruar vetëm 1 mijë e 425 euro si dëmshpërblim për paraburgim, ndërsa 5 mijë e 760 euro për arrest shtëpiak.
“Fatmir Limaj ka paraqitur kërkesë për kompensim deri me datë 15.08.2016, ndërsa Komisioni më datë 20.03.2017 i ka ofruar shumën prej 1.425 euro për paraburgim, ndërsa 5.760 për arrest shtëpiak mirëpo përfaqësuesi i autorizuar i tij nuk e ka pranuar këtë oferte dhe ka paralajmëruar se do shkon ne kontest civil”, thuhet në përgjigjen nga KGJK për Gazetën Sinjali.
Por, nuk është vetëm Limaj politikani që ka kërkuar dëmshpërblim nga shteti i Kosovës. Sami Lishtaku kishte kërkuar në nëntor të vitit të kaluar 1.4 milion euro dëmshpërblim nga procesi gjyqësor i tij. Ai ishte akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile ndërkohë që ishte shpallur i pafajshëm nga Supremja. Por, para marrjes së këtij vendimi, Lushtaku ka vuajtur katër vite e një muaj burgim.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se rasti i Lushtakut nuk është trajtuar ende për dëmshpërblim. Pasi që nuk është dorëzuar dosja komplete.
“Këtë kërkesë nuk e ka trajtuar Komisioni për shkak se e nuk është dorëzuar dosja komplet”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së.
Sivjet, buxheti i paraparë për dëmshpërblimin e personave të pafajshëm nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës është vetëm 500 mijë euro.
Komisioni i KGJK-së, gjatë vitit të kaluar (2018) ka kompensuar gjithsej 185 persona ndaj të cilëve është vlerësuar se është bërë e padrejtë me një shumë prej vetëm 463 mijë euro.
Ndërsa pesë vitet e fundit nga shteti i Kosovës vetëm për dëmshpërblim të personave të cilët janë dënuar apo arrestuar padrejtësisht nga institucionet e shtetit të Kosovës ka shpenzuar rreth 1 milion e 877 mijë euro./Gazeta Sinjali/