image "Të ndaluarit në Kleçkë u goditën me shkopinj e u kërcënuan me vdekje", në aktakuzë përmendet emri i Fatmir Limajt

Drejtësi

“Të ndaluarit në Kleçkë u goditën me shkopinj e u kërcënuan me vdekje”, në aktakuzë përmendet emri i Fatmir Limajt

news image

Dhomat e Specializuara në Hagë më 5 nëntor kanë bërë publike aktakuzën për krime lufte kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në po të njëjtën ditë Thaçi, Veseli, dhe Selimi u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë. Ndërkaq, Krasniqi u transferua atje një ditë më parë, më 4 nëntor, pas një bastisje gati 10 orëshe në shtëpinë e tij.

Aktakuza e cila është e redaktuar, prej 68 faqesh, është konfirmuar më 26 tetor 2020, njoftuan Dhomat e Specializuara.

Dhomat e Specializuara pretendojnë se në mes të nëntorit të vitit 1998 dhe qershorit 1999, të ndaluarit në Kleçkë u mbajtën në bodrume me dysheme prej dheu, me mure me njolla gjaku, u goditën me shkopinj dhe u këcënuan me vdekje nga anëtarë të UÇK-së.

Sipas aktakuzës, të ndaluarit u morën në pyetje dhe u akuzuan se ishin policë serbë, ku në keqtrajtimin e tyre ishte përfshirë edhe Fatmir Limaj.

“112. Së paku midis nëntorit 1998 dhe qershorit 1999, të ndaluarit në Kleçkë, Lipjan u mbajtën, ndër të tjera, në bodrume me dysheme prej dheu, me mure me njolla gjaku, në kushte të këqija higjienike e sanitare dhe me kujdes mjekësor të pamjaftueshëm.

Një numër anëtarësh të UÇK-së rregullisht i rrahën të ndaluarit egërsisht dhe i keqtrajtuan ata psikologjikisht. Të ndaluarit, të cilëve ndonjëherë ua lidhnin sytë, u goditën me shkopinj, tuba dhe tela, shkelma, grushte dhe/ose u kërcënuan me vdekje. Ata dëgjuan dhe panë keqtrajtimin e egër të të ndaluarve të tjerë, [REDAKTUAR]. [REDAKTUAR]. Të ndaluarit u morën në pyetje dhe u akuzuan se ishin policë serbë dhe bashkëpunëtorë të autoriteteve serbe dhe mospërkrahës të UÇK-së. Ndër të ndaluarit kishte edhe persona me kombësi serbe. [REDAKTUAR], në keqtrajtimin e të ndaluarve në Kleçkë u përfshinë edhe një numër anëtarësh të tjerë të UÇK-së, ndër të cilët Fatmir LIMAJ.”, thuhet në këtë pikë të aktakuzës.

/GazetaSinjali/